Arrestimi në Bjellorusi, mamaja e Sofia Sapega: Jam gati të përgjërohem për ndihmë

Nga A2 CNN
27 Maj 2021, 16:40 | Bota
Arrestimi në Bjellorusi, mamaja e Sofia Sapega: Jam gati të

Për Anna Dudich, këto janë momentet më të vështira të jetës. Vajza e saj, Sofia Sapega, një shtetase ruse, ishte në bordin e avionit të linjës Athinë-Vilnius që u devijua me forcë nga Bjellorusia. Ajo u arrestua bashkë me të dashurin, arkivistin disident të opozitës, Roman Protasevich, pasi ateruan në Minsk. Anna nuk i përmban lotët në një prononcim për BBC teksa përgjërohet për ndihmë.

“Nuk mund ta besojmë që kjo po na ndodh ne, vajzës sonë. Fjala e fundit që morëm nga ajo ishte me anë të një mesazhi dhe në të shkruhej vetëm fjala ‘mama’. Jam gati t’i përgjërohem çdokujt për ndihmë, vetëm që jeta e vajzës sime të mos shkatërrohet”, u shpreh Anna Dudich, mamaja e Sofia Sapega.

23-vjeçares Sapega i është caktuar masa e paraburgimit për dy muaj dhe do të qëndrojë në burgun e KGB-së në Minsk. Vizitat nuk lejohen, por mamaja e saj i dërgoi veshje dhe ushqim. E vetmja mundësi për ta parë vajzën e saj ishte me anë të videos së rrëfimit të shpërndarë nga media publike e Bjellorusisë. Anna thotë se Sofia nuk ishte një aktiviste por është ndaluar vetëm nga lidhja me Protasevich.

“Nuk e kuptoj pse vajza ime është arrestuar. Ajo thjesht po jeton jetën e saj normale si një vajzë e re, duke studiuar, kaluar mirë dhe rënë në dashuri. Kjo nuk është e ndaluar, apo jo?”

Fati i 23-vjeçares do të diskutohet të premten mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij bjellorus, Aleksandër Lukashenko. Ky i fundit refuzoi akuzat ndërkombëtare për “pirateri ajrore” dhe “rrëmbim” të avionit duke thënë se veproi për të shpëtuar jetë njerëzish pasi kishte marrë raportime për bombë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos