Arrestohen 739 protestues në Iran, 50 humbën jetën

Nga A2 CNN
24 Shtator 2022, 14:01 | Bota
Arrestohen 739 protestues në Iran, 50 humbën jetën

Policia iraniane arrestoi 739 protestues, përfshirë 60 gra vetëm në provincën Guilan gjatë protestave javën e kaluar pas vdekjes së 22-vjeçares kurde Mahsa Amini, ndërsa ishte në paraburgim nga policia morale,që e arrestoi atë sepse ajo nuk mbante siç duhet shaminë.

Të paktën 50 persona humbën jetën në protestat gjatë shtatë ditëve, sipas burimeve të opozitës dhe OJQ-ve, ndërsa regjimi flet për 35 të vdekur. Ndërkohë, presidenti ultra-konservator iranian, Ebrahim Raisi, tha se demonstratat dhe trazirat në Iran duhet të trajtohen "me ashpërsi".

Raisi i përshkroi demonstruesit si "rebelë që prishin rendin dhe sigurinë në vend" duke folur në telefon me Mohammadrasul Doustbeigi, një anëtar i Gardianëve të Revolucionit (Pasdaran) dhe i milicisë që mbron vendet e shenjta shiite, e cila lufton në Irak dhe Siri.

Ministri i Brendshëm, Ahmad Vahidi, nga ana e tij tha se demonstruesit “ndjekin SHBA-në dhe vendet evropiane dhe kundërrevolucionarët me qëllim që të krijojnë rrëmujë dhe shkatërrim në vend”, duke shtuar se ndalimi i internetit, në Whatsapp dhe Instagram do të vijojnë deri në fund të protestave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos