
Dy ish-shoqërues të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, të shpallur në kërkim ndërkombëtar pas operacionit anti-drogë shqiptaro-italian të koduar “Shpirti”, janë arrestuar në Gjermani dhe Francë.
Ata janë Hekuran Marku dhe Paul Deda, i njohur edhe me emrin Agustin Deda, që sipas SPAK, kanë pasur rol aktiv në trafikimin e kanabisit nga Shqipëria drejt Italisë. Burime pranë Prokurorisë së Posaçme konfirmuan për A2 se SPAK ka dërguar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e tyre në Shqipëri dhe përballjen me SPAK.
Pas ndalimit të tij në Francë, Agustin Deda, ka mundur të fitojë lirinë, duke marrë vetëm masën shtrënguese të mosdaljes nga territori i vendit. Ndërkohë, ai ka paraqitur një kërkesë për azil politik para autoriteteve franceze, kërkesë që do të shqyrtohet paralelisht me kërkesën e palës shqiptare për ekstradim.
Emrat e Hekuran Markut e Agustin Dedës, ish-truproja të ministrit të Brendshëm në vitin 2016, dolën gjatë përgjimeve të operacionit “Shpirti”. Në 2 korrik SPAK njoftoi ekzekutimin e 38 urdhër-arresteve në Shqipëri, Itali, Mal të Zi e Spanjë, të dyshuar si pjesë e katër grupeve kriminale, që në vitet 2014-2017 kishin transportuar 6 ton kanabis drejt Italisë.
Mes të dyshuarve të të njëjtit hetim janë edhe prokurori i Vlorës, Maksim Sota, zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, Ilirjan Balla, si edhe ish-punonjës policie. Sipas SPAK, ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë, në disa raste pronarë të drogës, kanë garantuar jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puljas të kryhej me siguri të plotë. (A2 Televizion)