Prokuroria e Posaçme e Kosovës njoftoi të premten arrestimin e tre personave të dyshuar për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe dhënie të ndihmës për veprën penale "keqpërdorim të detyrës".
Në njoftimin e prokurorisë nuk bëhet i ditur identiteti i të arrestuarve të cilët u identifikuan me iniciale dhe as nuk jepen hollësi për natyrën e veprave për të cilat dyshohen. Por mediat lokale thanë se dy nga të arrestuarit janë Hafiz Gara, drejtor për Rezervat Shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë dhe Irfan Lipovica, drejtor në Departamentin për Integrim Evropian.
I arrestuari i tretë thuhet te jete biznesmeni Ridvan Muharremi. Prokuroria bastisi godinën e ministrisë së Industrisë dhe banesën dhe lokale ne pronësi te biznesmenit, i cili sipas mediave është njeri i afërt me kryeministrin Kurti.
Operacioni i se premtes pasoi publikimin e disa regjistrimeve audio nga media online, “Nacionale”, ku dëgjohen dy zyrtarë të Ministrisë të cilët pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk ka arritur kurrë. Sipas këtyre regjistrimeve, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit. (A2 Televizion)