Arrestohen “gjyshërit” italianë në Elbasan, prej muajsh i shisnin flori të rremë argjendarive  

Nga A2 CNN
16 Gusht 2022, 10:52 | Kronikë
Arrestohen “gjyshërit” italianë në Elbasan, prej

Dy shtetas italianë janë arrestuar sot në flagrancë në qytetin e Elbasanit, me një akuzë disi të veçantë, e denjë për një skenar filmi.

Dy italianët e moshuar, 67-vjeçari F.M banues në Napoli dhe 76-vjeçari R.G banues në Milano, akuzohen nga forcat e rendit se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shitur në disa argjendari në kryeqytet por edhe në Maqedoninë e Veriut, një sasi metali i reklamuar si ar, në formë kokrrizash, me një vlerë të përllogaritur rreth 200 000 euro.

Në fakt metali i shitur nuk përbëhej vetëm nga metali i çmuar, por ishte një përzierje me një vlerë shumë më të ulët, për mos të thënë i papërdorshëm.

Mashtrimi vazhdonte të paktën nga muaji i qershorit, dhe skema e mashtrimit ishte e thjeshtë aq sa “djallëzore”. Fillimisht dy italianët i paraqisnin argjendarive një sasi të vogël ari të pastër, dhe më pas dorëzonin sasinë e mbetur, që në fakt ishte e përzier me metale të ndryshme.  

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 kilogramë ar i dyshuar si i rremë, 160 gramë ar i pastër, 4 aparate celulare, 1500 euro dhe 150 franga zvicerane.

Matrialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan,  për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të lincencuara” dhe “Mashtrimi”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos