Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 38-vjeçar, i cili qarkullonte në kryeqytet i armatosur.
“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në bulevardin "Migjeni", një shtetas po qarkullonte me armë zjarri në automjet, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar Bulevardi".
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: Albert Prendi, 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale të mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, tha policia.
Gjatë kontrollit në automjetin që po drejtonte ky shtetas, në bulevardin “Migjeni”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri pistoleta, 2 krehra dhe municion luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale. (A2 Televizion)