Policia e Tiranës vuri në pranga një 47 vjeçar në zonën e Bathores ndërsa drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Shtetasi A. H., udhëtonte me mjetin e tij tip Benz nga Mjull Bathore për në autostradë, në Unazë të Madhe dhe kryente manovra të rrezikshme në rrugë duke rrezikur jetën e këmbësorëve dhe të drejtuesve të automjeteve. Ishin qytetarët ata që njoftuan policinë, e cila u vu menjëherë në lëvizje për ndalimin e këtij shtetasi.
Sapo ka parë postbllokun e policisë, A.H. ka tentuar t’i shmanget dhe për pasojë goditi mjetin e Policisë Rrugore, duke vënë kështu në rrezik dhe jetën e efektivëve. Më pas ai u neutralizua dhe u arrestua në kushtet e flagrancës. Pas verifikimeve, rezultoi se A.H. drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 1.31 mg/l, shifër kjo disa herë më e lartë nga ajo e lejuar. (A2 Televizion)