









Pas 30 vitesh në arrati, kryemafiozi më i kërkuar në Itali, Matteo Messina Denaro, përfundoi në duart e policisë. Bosi i organizatës famëkeqe të Cosa Nostra, u arrestua në një klinikë private në kryeqytetin e Sicilisë, Palermo. Mediat italiane raportojnë se 60-vjeçari po i nënshtrohej trajtimeve për shkak të një tumori, kur e vu në pranga pak para orës 10 dhe u dërgua në kazermën e San Lorenzo-s.
Mbi 100 pjesëtarë të forcave të armatosura thuhet të jenë përfshirë në arrestimin e tij. Sipas dëshmive i shumëkërkuari kishte tentuar fillimisht të arratisej por është ndaluar nga karabinierët. “Jam Mateo Messina Denaro”, kanë qenë fjalët e tij të para për forcat e sigurisë italiane, pasi e kanë pyetur se si quhej.
“Sot më 16 janar, grupi i operacioneve speciale, ai i ndërhyrjeve speciale dhe komandave territoriale të rajonit të Sicilisë, si pjesë e një hetimi të koordinuar nga prokuroria e Palermos arrestoi të arratisurin Matteo Messina Denaro, brenda një klinike ku po i nënshtrohej terapive klinike”, tha Pasquale Angelosanto Gjeneral-Major i forcave të policisë.
Ai është gjykuar dhe është dënuar në mungesë, më burgim të përjetshëm, për një numër vrasjesh. Mes tyre përfshihet vrasja e prokurorëve antimafias Giovanni Falconne dhe Paolo Borsellino në vitin 1992, sulmet vdekjeprurëse me bombë në 1993-shin në Milano, Firence dhe Romë, e gjithashtu rrëmbime, torturë dhe vrasjen e djalit 11-vjeçar të një mafiozi të kthyer në dëshmitar shtetëror.
“Me personat që kam vrarë mund të bëja një varrezë”, i ka rrëfyer dikur një miku. Ai mendohet të ishte i mbrojturi i Toto Riina-s, kreu i klanit të Korleones, i cili u arrestua në 1993-shin, pas 23 vitesh në arrati. Kryeministrja Giorgia Meloni falënderoi forcat e armatosura për punën e tyre në ndalimin e pjesëtarit më të rëndësishëm të grupit kriminal mafioz, siç u shpreh. “Kjo është një fitore e madhe për shtetin”, u shpreh Meloni. (A2 Televizion)