Tym i bardhë në Bruksel. Arrihet ajo që konsiderohej e pamundur. Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian vulosën një marrëveshje të re për Brexit të bazuar në propozimet e fundit të qeverisë së Boris Johnson.
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Junkcer bëri të ditur arritjen e dakordësisë mes palëve dhe shprehet shumë i kënaqur me ujdinë e re: “Ku ka dëshirë, ka dhe marrëveshje dhe ne e kemi një të tillë! Është një ujdi e drejtë dhe e balancuar për BE-në dhe Britaninë e Madhe dhe është një testament për përkushtimin tonë në gjetjen e zgjidhjeve”.
Më pas, erdhi edhe reagimi i kryeministrit britanik, Boris Johnson, i cili thekson se ujdia e re i rikthen kontrollin qeverisë britanike: “Parlamenti duhet ta përmbyllë Brexit-in të shtunën, në mënyrë që të ecim përpara në prioritete të tjera si kostoja e jetesës, sistemi shëndetësor, mjedisi dhe luftimi i krimit”.
Pavarësisht dakordësisë, fjala e fundit i takon Parlamentit Europian dhe atij britanik. Qeveria Johnson duket se nuk do ta ketë të lehtë të sigurojë votat e nevojshme në Dhomën e Komunëve. Kushtet aktuale të ujdisë së divorcit nuk janë të pranueshme për Partinë Demokratike Unioniste të Irlandës së Veriut. Kundërshtimi i tyre lidhet kryesisht me çështjen kufitare, pasi me marrëveshjen e re do të vendosen kontrolle kufitare me Republikën e Irlandës. Gjithashtu, detyron Irlandën e Veriut të qëndrojë pjesë e rregullave të tregut europian për disa vite. (A2 Televizion)