
Berisha do të vazhdojë të mbetet non grata dhe Lulzim Basha e ka humbur mundësinë për të qenë lider, pavarësisht mbështetjes nga palë të treta. Kështu u shpreh në studion e “Dita jonë” përfaqësuesi i iniciativës demokratike “IDE”, Dritan Shano, edhe pse u shfaq indiferent për këtë çështje.
Duke e konsideruar Bashën krijesë të Berishës, Shano thekson se ky reagim i liderit historik të PD-së erdhi në momentin kur kreu aktual i nguli thikën pas shpine, ndërkohë që ka heshtur për çdo gjë që ka bërë Basha, përfshirë edhe garën në PD me Olldashin. Sipas Shanos, kjo është një çështje personale mes tyre, ku njëri do të ruajë karrierën dhe tjetri vulën.
“Berisha po reagon pasi krijesa e tij i nguli thikën pas shpine. Pse nuk e bëri, pse heshti kur u zhvillua gara e parë mes Bashës dhe Olldashit? Unë kam kërkuar një PD më të madhe se kryetari. Berisha është në pozicion të fuqishëm në PD dhe kur ai i shmanget me qëllim realitetit nuk mund të mos vuajë pasojat. E kam quajtur si çështje personale njëri do të ruajë karrierën, tjetri vulën. Për Bashën bën tifozllëk e gjithë PS-ja. Nuk di ç’pamje do të marrë, jam indiferent. Nuk shoh sinqeritet nga asnjë palë, njëri e ka krijuar tjetrin dhe ishte OK me çdo gjë që bënte ky tjetri, derisa erdhi thika pas shpine. Berisha do të vazhdojë të mbetet non grata, Basha e humbi mundësinë për të qenë lider në vendimmarrjen e vet dhe lider është ai që dorëzon pushtetin. Nuk arrin dot të dalë pavarësisht suportit të palëve të treta si ambasada amerikane. PD-së kjo i shkakton dëm dhe favorizon Ramën”, tha Shano.
Dhe në këtë kontekst, Shano thekson se iniciativa demokratike "IDE" ka motive krejt të ndryshme nga ajo që kërkon Berisha. Sipas tij, IDE kërkon të krijojmë një ofertë të re politike që nuk ka ekzistuar më parë, atë të të njeriut të mirë.
“Deri më sot, në këto 30 vjet, partitë kanë krijuar një ofertë që troket te dera e së keqes tek instiktet e mbijetesës. Ky lloj njeriu, ka pushuar së ekzistuari në Europë me Rilindjen dhe Iluminizmin europian dhe ky është treg politik i paeksploruar në Shqipëri. Ajo doktrinë që kam në kokë është që nuk do të merrem me tregun e përçarjeve dhe mallkimeve, por me tregun e paeksploruar të të mirit brenda nesh. Për këtë ka nevojë Shqipëria dhe kjo punë që të identifikohet duhet folur nga disa njerëz, se një ide që nuk flitet nuk ekziston. Ky që ka vulën flet kështu. Ne do të tentojmë të krijojmë një ofertë të re politike që nuk ka ekzistuar më parë.
Sipas tij, lindja e IDE erdhi nga nevoja për një qasje politike ndryshe në përputhje me misionin e PD-së për një oponencë dhe alternativë konkurruese dhe jo përçarëse.
“Nevoja për një qasje politike ndryshe në përputhje me misionin e PD-së që trupëzohet në nenin 3 të statusit të saj është akute. U shpërfaq me rezultatin e zgjedhjeve ku PD-ja nuk arriti të krijojë masën e mbështetësve për të mundur Ramën. Kjo është një nga nevojat që na shtyn neve të identifikohemi me emrin e IDE. Duam të bëjmë një oponencë konkurruese dhe alternativë konkurruese. Nuk është përçarje, përkundrazi i shërben arsyes pse ekziston PD-ja. Kjo që kemi prodhuar deri tani ka prodhuar numër haluçinant largimesh nga Shqipëria. Nëse njerëzit duan të qëndrojnë tek instikti i mbijetesës nuk kemi ç’ti bëjmë, por nuk mund të mos i tregojmë njerëzve derën e së mirës. Nëse qëndrimi është i njëjtë me PD-në dhe nëse është i ndryshëm me njerëzit e Bashës atëherë njerëzit kanë më shumë se çfarë të zgjedhin për të ushtruar presion”.
Për Shanon, opozita nuk duhet të jetë monopol, dhe që të vijë në pushtet ai thekson se duhet të shtohet në radhë, por që aktualisht PD-së nuk i vjen ai elektorat që i duhet.
“Unë nuk e njoh më monopolin e opozitës, opozita është në çdo shtëpi. Këto propozime mund të artikulohen nga deputetët në sallë, PD-ja që të vijë në pushtet ka nevojë për të shtuar radhë. Ata që po zihen nuk shtojnë radhë, por po e tresin dhe konsumojnë PD-në. Askush nuk i vjen nga ai elektorat që i nevojitet për të ardhur në pushtet”. (A2 Televizion)