
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në takim një delegacion e ODIHR-it, kryesuar nga ambasadorja Urszula Gacek, shefe e misionit vëzhgues për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.
Në një deklaratë pas takimit, Basha u shpreh se bisedoi me ambasadoren, Gacek për të gjitha shkeljet e vëna re gjatë zgjedhjeve që janë pasqyruar dhe në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR.
Basha u shpreh se nëse këtij raporti do t’i hiqej fjala Shqipëri, ai do t’i ngjante zgjedhjeve të Lukashenkos në Bjellorusi. Kryedemokrati u angazhua se PD do të luftojë në Kuvend për një Kod Zgjedhor me standarde.
“Ambasadores i shpreha mirënjohjen për punën e misionit të monitorimit ndonëse në kushte të kufizuara për shkak të pandemisë. Raporti i OSBE-ODIHR faktoi masakrën zgjedhore, masakrën e demokracisë. Mjafton të shikoni rekomandimin e dytë. Po të heqësh fjalën Shqipëri nga raporti mund të ishte shumë mirë si ai i zgjedhjeve në Bjellorusinë e Lukashenkos. Raporti konfirmoi shkrirjen e shtetit me partinë. Patronazhistët nuk është veçse një sistem vjedhjesh të dhënash. Patronazhistëve duhet t’iu vijë turp nga vetja, i ngjashëm me sigurimin e shtetit para 1990. Sipas raportit, korniza ligjore nuk është në përputhje me normat demokratike që parashikon BE.
Raporti flet për problemin e blerjes së votave. Ne kemi një arsye përse jemi në atë parlament, vetëm për kthimin e demokracisë në vend. Shumë nga këto shkelje i kemi konstatuar dhe ne përpara reformës. Jemi të vendosur për një reformë zgjedhore. Kemi ngritur një grup pune. Do i çojmë Kuvendit kërkesën për reformën zgjedhore. Në këtë vend duhet një shkundje e thellë që instrumentat e regjimit mos funksionojnë më. T’iu japim qytetarëve kodin dhe instrumentet që ky legjislacion nuk do të ngelet në letër”, tha Basha. (A2 Televizion)