As nga lufta, as nga SIDA dhe as nga drogat... zbulohet arsyeja e vdekjes së 9 milionë personave çdo vit

Nga A2 CNN
18 Maj 2022, 15:57 | Bota
As nga lufta, as nga SIDA dhe as nga drogat... zbulohet arsyeja e vdekjes

1 në 6 vdekje u shkaktuan nga ndotja në vitin 2019, më shumë se bilanci vjetor i viktimave të luftës, malarias, HIV-it, tuberkulozit, drogave apo alkoolit.

Një studim i ri i publikuar nga “Lancet Commission”, zbuloi se 9 milionë njerëz vdesin si pasojë e ndotjes çdo vit, treçereku i të cilëve për shkak të ajrit të dëmshëm. Sipas shkencëtarëve, vdekjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe kimikatet toksike janë rritur me 66% përgjatë dy dekadave të fundit, nxitur nga urbanizimi i pafre, rritja e popullsisë dhe varësia ndaj karburanteve fosile.

“Ndikimi i ndotjes në shëndet mbetet tejet i madh dhe vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme mbajnë barrën kryesore. Pavarësisht ndikimit të pamasë shëndetësor, social dhe ekonomik, parandalimi i ndotjes anashkalohet gjerësisht në agjendat ndërkombëtare”, shprehet Richard Fuller, autor i studimit.

Pas ndotjes së ajrit, ndotja e ujit është kërcënimi i dytë më fatal përgjegjës për 1,36 milionë vdekje të parakohshme në vitin 2019. Më pas, vijnë ndotja me plumb dhe rreziqet toksike profesionale.

Më shumë se 90% e vdekjeve kanë ndodhur në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të cilat nuk janë në gjendje ta kthejnë ndotjen në prioritet, të tilla si India dhe Nigeria. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos