Asgjësimi i shpendëve me H5N8, pulat e infektuara groposen në Shijak

Nga A2 CNN
22 Mars 2022, 16:01 | Aktualitet
Asgjësimi i shpendëve me H5N8, pulat e infektuara groposen në

Ministria e Bujqësisë dhe ajo e mjedisit kanë përcaktuar vendin ku do të kryhet groposja e pulave të ngordhura, për shkak të virusit të shpendëve.

Në Shijak është përcaktuar një vend i përcaktuar vetëm për pulat që janë konstatuar të infektuara në qarkun e Durrësit, që për momentin cilësohet si i vetmi ku është shfaqur vatra. Pas përcaktimit të vendit, firmat kanë nisur dërgimin e pulave të ngordhura dhe groposjen e tyre.

Vetëm në dy pularitë më të mëdha në vend, që gjenden në qarkun e Durrësit, kanë ngordhur mbi 300 mijë pula për shkak të virusit. Në lidhje me këtë situatë, ka nisur një hetim edhe Prokuroria e Durrësit, e cila po verifikon marrjen e masave, njoftimet dhe ndjekjen e të gjithë praktikës që bëhet në të tilla raste pandemish te shpendët.

Ndërkohë, nuk dihet se si është situata me përhapjen e këtij virusi në qarqet e tjera të vendit. Ndërsa prania e gripit të shpendëve është konfirmuar edhe në liqenin e Prespës, ku autoritetet kanë gjetur të ngordhur disa pelikanë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos