
Bordi Administrativ i Karburanteve publikoi sot çmimin e ri të karburanteve. Deri ditën e enjte, nafta në vend do të shitet me 221 lekë/litri dhe benzina 211 lekë/litri.
Ky ishte vendimi i bordit të transparencës, i cili prej tre javësh tashmë po monitoron tregun e karburanteve, duke fiksuar çmimet, bazuar në ecurinë e tregjeve ndërkombëtare. Çmimi i ri tavan do të mbetet i pandryshuar deri ditën e enjte.
Por, nga një vëzhgim që ka kryer A2 CNN, rezulton se në kryeqytet ka edhe nga ato pika që po i mbajnë të pandryshuar çmimet e karburanteve, ku nafta tregtohet në nivelin 203 lekë/litër dhe benzina 206 lekë/litër, njëjtë me një ditë më parë, sipas tyre, në pritje të zbardhjes së vendimit të ri të bordit.
Ndërkohë, në bursa nafta ka shënuar rekorde të reja, duke u shitur me 112 dollarë. Një ecuri që nëse vijon, do të bëhet e pashmangshme për t’u pasyqruar edhe në Shqipëri në ditët në vijim.
Përballë një situate të tillë, qeveria po përdor strategjinë e re për të kufizuar lëvizjen e automjeteve në ditë të caktuara. Qytetarët po kërkojnë forma alternative të lëvizjes në qytet, për të kursyer disi përballë çmimit të paparashikuar të naftës dhe produkteve të shportës, që kanë rënduar jo pak buxhetet e tyre. (A2 Televizion)