
Sali Berisha u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike, 9 vite pasi u largua nga kjo detyrë. Ai mori 93,45% të votave të demokratëve, teksa rivali i tij Ibsen Elezi mori 5,8% të votave.
Pas shpalljes së rezultatit nga Komisioni Zgjedhor i PD-së, Berisha u rikthye në selinë blu. Mirënjohje dhe falenderim ndaj demokratëve që i besuan sërish drejtimin e partisë ishin fjalët e para të Berishës si kryetar i sapozgjedhur, teksa i rikujtoi atyre se rikthimi i tij ishte gjithmonë i mundshëm, por mesazhin që ai e ka dhënë dikur, kësaj here e drejtoi ndaj të rinjve: “U krye! U krye jo zgjedhja e Sali Berishës, por mrekullia e vërtetë shqiptare në shekullin XXI. Më pak se një vit më parë, në 13 qershor, në këtë sallë, diku aty në qoshe, gazetarët, pasi votova, më pyetën: Çfarë mendon për rikthimin tënd dhe a parashikon Berisha ndonjëherë të rikthehet në krye të PD-së. Përgjigjja ime ishte kjo: “Never say never”. Ndaj, dhe unë do t’i them sonte çdo të riu dhe të reje shqiptare, çdo demokrati dhe demokrateje shqiptare, “Never say never”, ne do të fitojmë”.
Promotorët kryesorë të kësaj fitoreje Berisha pohoi se ishin të rinjtë demokratë dhe ndaj premtimin e parë e bëri për ta: “Betimi im para tyre dhe mbarë shqiptarëve: Do të bëj gjithçka që ëndrrat e tyre më të bukura të bëhen realitet në këtë vend. Ai që realizon ëndrrat e tij, ai është pafundësisht i detyruar të bëjë gjithçka për të realizuar ëndrrat e bukura të të tjerëve”.
Mes falenderimeve të Sali Berishës është edhe ai për kundërshtarin e vetëm në këtë garë, Ibsen Elezin, të cilin e quajti një demokrat të vërtetë dhe me integritet. (A2 Televizion)