
Kosovës i kërkohet të gjejë zgjidhje për formimin e asociacionit të komunave serbe. Mesazhet e përfaqësuesve special të Amerikës dhe Bashkimit Europian, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, se askush nuk do krijimin e një “Republike Serbe” në Kosovës, shihen si një mundësi për të dhënë alternativa dhe modele që mundësojnë formimin pa kompetenca ekzekutive.
“Në këtë moment duhet të krijohet një lloj platforme dhe opsioni se si Kosova e sheh këtë zgjidhje. Pasi vetëm refuzimi apriori nuk po mjafton për BE-në, duhet t’i jepet një zgjidhje përfundimtare kësaj marrëveshjeje, të refuzohet ose të gjendet një modalitet tjetër”, tha Arbër Fetahu, grupi për studime juridike dhe politike.
Për zbatimin e marrëveshjes nuk duhet anashkaluar kushtetuta. “Të gjitha modelet (e Asociacionit) duhet të diskutohen në takimet trepalëshe në Bruksel. Aty palët mund të ofrojnë zgjidhje dhe opsione. Por kryesorja është marrëveshja e vitit 2013 nga e cila ne nuk mund të lëvizim dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për parimet e Asociacionit të vitit 2015”, tha Gazmir Raci, njohës i procesit të dialogut.
Por Kosova duhet të tregohet e zgjuar për të dalë nga ngërçi i Asociacionit të Komunave Serbe. “Duhet të definojmë se cili është ai kompromisi ynë dhe çka arrijmë në këmbim të atij kompromisi. Kjo duhet të jetë çështja dhe jo të jemi këmbëngulës dhe kokëfortë që mos të lëvizim tutje. (Përmes) status-quo-së po vërehet se Kosova është e izoluar dhe dihet kush do të del fituesi në fund”, tha Dritëro Arifi profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Ndërkohë, Escobar dhe Lajçak sqaruan në vizitën e tyre zyrtare se asnjë zgjidhje nuk do t’i imponohet Kosovës nëse cenon integritet interritorial, sovranitetin apo kushtetutshmërinë. (A2 Televizion)