
Nuk ka vonuar dhe reagimi i qeverisë së Kosovës ndaj të dërguarit të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, i cili tha se nuk duhet patur frikë në zbatimin e marrëveshjes për Asosacionin e Komunave Serbe. Kryeministri, Albin Kurti, tha se nuk është një çështje frike, por bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave të vendit, sovranitetit dhe integritetit territorial.
“Kosova nuk frikësohet, por Kosova me qeverinë e përgjegjshme është e kujdesshme. Ne ju shërbejmë qytetarëve të Republikës dhe mbrojmë interesat e vendit tonë. Interesi i shtetit të pavarur i republikës sonë demokratike e sovrane, është integriteti territorial, është funksionaliteti shtetëror, është kushtetutshmëria dhe ligjshmëria. Ne kemi dhënë propozimet tona në takimet që kemi pasur në Bruksel dhe jemi konstruktiv për bisedimet e ardhshme në dialogun që zhvillohet, i lehtësuar apo ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Me ç’rast parimi i reciprocitetit është parim i shëndoshë i marrëdhënieve të mira fqinjësore. Marrëveshja duhet të arrihet. Jemi të gatshëm të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë për marrëveshje bisedojmë për marrëveshje, nuk bëjmë dialog për dialog, jemi konstruktiv, jemi serioz dhe njëkohësisht e vëmë theksin tek ajo që po pajtohen gjithnjë më shumë që të gjithë faktorët ndërkombëtarë që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë presidentit i SHBA-së, Joe Biden që marrëveshja për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke”, tha Kurti. (A2 Televizion)