Londra duket sikur do të dalë kundër, të paktën paraprakisht, ndaj idesë së Asociacionit në Kosovë, siç është formuluar nga plani franko-gjerman.
“Britania e Madhe nuk do të mbështesë formimin e një Republikë Srpska të re në Kosovë”, tha kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Britanik, Alicia Kearns, duke komentuar planin që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Kearns pohoi se “ka aspekte të mira të planit franko-gjermano-amerikan”, por nënvizoi se “formimi i një enklave serbe është diçka që Britania e Madhe, nuk e mbështet, ne ishim shumë të qartë”.

Sipas britanikëve, plani ka probleme në përcaktimin e nivelit të vetëqeverisjes. ““Paqartësia e gjuhës është problematike. Flitet për vetëqeverisje. Çfarë do të thotë? A do të thotë kjo administrimin e ujit, rrymës dhe gazit, apo vetëqeverisje do të thotë struktura të veçanta qeverisëse? Ne nuk duhet të lejojmë Republikën Srpska në Kosovë. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo çon në konsolidimin e etno-nacionalizmit dhe nuk çon në unitet”, shtoi ajo.”, deklaroi Kearns e intervistuar nga Al Jazeera.
Për t’ i dhënë dritën jeshile një marrëveshje, Beogradi zyrtar këmbëngul që në Kosovë të formohet Asociacioni i Komunave Serbe si pikë kyçe për vazhdimin e dialogut. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se kjo mund të formohet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk mund të ketë autoritet për të bllokuar vendimet e qeverisë qendrore kosovare. (A2 Televizion)