
Tre persona mbetën të vdekur pasditen e së dielës në një atentat në mbikalimin e Fushe-Krujës, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan mbi një makinë në ecje, e cila doli nga rruga dhe shpërtheu në flakë.
Dy personat u shkrumbuan brenda në makinë, Ndërsa policia konfirmoi se viktima e tretë është Diklen Vata. 30-vjeçari arriti të dilte nga makina pasi ajo u përfshi nga flakët, por autorët e krimit nuk e lanë të gjallë.
Në rekordet e policisë, ai është një person me të shkuar kriminale, ndërsa në vitin 2017 u arrestua nga policia për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, ndërsa ju gjetën dhe 22 doza kokainë.
Në mbështetje të grupit hetimor dhe policisë në vendngjarje ishin edhe grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë dhe u ngritën pika kontrolli nga Drejtoritë vendore të policisë së kryeqytetit dhe Lezhës.
“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, po punon për identifikimin e dy shtetasve të djegur në automjet dhe për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e çdo prove të vlefshme që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nga krehja e zonës, në Larushkë, jo shumë larg vendit të ngjarjes, u gjet një automjet tip “Volswagen Passat” që policia dyshon të jetë i autorëve. Dyshimet janë të forta pasi konstatimit në brendësi të automjetit të një arme zjarri automatike, që mendohet të jetë përdorur për të kryer krimin.
Njoftimi i policisë për ngjarjen
Në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, te mbikalimi i Fushë Krujës, dyshohet se në drejtim të një automjeti tip "Volswagen Passat" është qëlluar me armë zjarri.
Si pasojë automjeti ka marrë flakë dhe janë djegur në automjet dy shtetas ende të pa identifikuar.
Gjithashtu, nga të shtënat ka mbetur i vrarë dhe shtetasi D. V., 30 vjeç, nga Fushë Mamurrasi, i cili ka qenë pasagjer por ka mundur të dalë nga automjeti, dhe ka humbur jetën sapo ka dalë prej tij.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe forca të shumta Policie.
Nga krehja e zonës, në Larushkë, është gjetur duke u djegur një automjet tip "Volswagen Passat" që dyshohet se është i autorëve.
Në brendësi të automjetit është konstatuar një armë zjarri automatike që dyshohet se është përdorur nga autori/ët për të kryer krimin.
Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar grupe të FNSh Tiranë dhe janë ngritur pika kontrolli nga DVP Tiranë e Lezhë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, po punon për identifikimin e dy shtetasve të djegur në automjet dhe për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e çdo prove të vlefshme që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorëve. (A2 Televizion)