Gjermania Alica Schmidt, e cila konsiderohet si atletja më seksi në botë, ka sfiduar yllin e futbollit Erling Haaland, në garën e 400 metrave, pasi më parë kishte mposhtur gjermanin Mats Hummels.
Alica Schmidt ka fituar dy medalje europiane për të rinjtë në stafetën 4x400 metra. Megjithatë, ajo ka edhe një karrierë si modele, ndërsa në rrjetet sociale ndiqet nga më shumë se 4 milionë persona.
Në anën tjetër, sulmuesi i Manchester City-t është një yll në rritje teksa sezonin e fundit realizoi 53 gola në 52 ndeshje me kampionët në fuqi të Europës.
Schmidt, tashmë 24 vjeçe, përfaqësoi Gjermaninë në Kampionatin Botëror që u mbajt në Budapest. Ajo është shprehur se mund ta mposht norvegjezin në garën e 400 metrave, por ka dyshime në 200 metra.
“Unë mendoj se në 400 metra mund ta mposht. Në 200 metra do të ishte e vështirë. Megjithatë, do të isha e lumtur nëse do të pranonte të garonte me mua. Unë jam gati. Eja dhe e provojmë kush është më i shpejti”, ka thënë bukuroshja gjermane për gazetën norvegjezë Dagbladet.
Dy vite më parë, Schmidt zhvilloi një garë të ngjashme me qendërmbrojtësin e Borussia Dortmundit, Mats Hummels, kampion i botës me Gjermaninë në vitin 2014 dhe arriti të triumfonte pa shumë vështirësi. (A2 Televizion)















