Këngëtarja braziliane Marilia Mendonca, ka humbur jetën bashkë me menaxherin dhe ndihmësin e saj, kur avioni i vogël me të cilin po udhëtonin, u rrëzua. Shkaku i rrëzimit vijon të jetë nën hetim, por kompania shtetërore e energjisë Cemig ka deklaruar se pak para tragjedisë, avioni është përplasur me një linjë të shpërndarjes së energjisë elektrike. Sipas raportimeve në mediat lokale, nga aksidenti ka humbur jetën edhe piloti.
Vetëm një orë para rrëzimit fatal, këngëtarja kishte postuar një video në rrjetet sociale, ku shihej duke hipur në avion me valixhe dhe duke konsumuar ushqim teksa shijonte pamjen nga dritarja.
26-vjeçarja ishte nisur për në qytetin Caratinga, ku me sa duket do të mbante një koncert. Fituesja e “Latin Grammy Award” në vitin 2019, ishte nënë e një djali njëvjeçar të quajtur Leo. (A2 Televizion)