Aktori hollivudian Alec Baldwin dhe bashkëshortja e tij, Hilaria, festuan Halloween-in me 6 fëmijët e tyre të dielën, pasi vendosën të kalonin fundjavën në Vermont, në përpjekje për t’iu larguar zhurmës pas aksidentit tragjik gjatë xhirimeve të një filmi, ku mbeti e vrarë kineastja Halyna Hutchins.
“Ka qenë shumë e vështirë të jesh prind”, shkroi në Instagram bashkëshortja e Baldwin, të dielën, teksa postonte fotot e fëmijëve të saj me kostum. “Organizuam një festë në minutën e fundit, por gëzimi në sytë e tyre më ngrohu zemrën”, tha ajo.
Të premten, teksa po udhëtonin për në Vermont, familja Baldwin ndaloi për të folur me gazetarët që po i ndiqnin me makinë. Alec foli për herë të parë për incidentin, ndërsa iu desh të ndërpriste disa herë bashkëshorten e tij, e cila filmonte dhe u kthente përgjigje pyetjeve të gazetarëve.
Ndërkohë, gjatë fundjavës, detaje të reja dolën nga hetimet për ngjarjen. Një raport i botuar në mediat amerikane tregoi se gjatë xhirimeve të filmit “Rust”, ku mbeti e vrarë Hitchins, ka pasur të paktën tre incidente të tjerë me pistoletë. 63-vjeçari Baldwin ishte personi që shkrepi pistoletën pasi i ishte thënë se ishte e sigurt, por drejtësia amerikane ende nuk e ka zbardhur plotësisht ngjarjen, dhe personat përgjegjës për aksidentin fatal. (A2 Televizion)