




Pjesa më e madhe e avionëve duken pak a shumë njëlloj nga jashtë - të bardhë, me një shkrim më germa të mëdha dhe logo e kompanisë. Por kompania gjermane Condor ka vendosur të futet te rastet e rralla kur avionët duan të bien në sy, për pamjen e tyre të jashtme.
Avionët duken si të ishin karamele për fëmijë, por Condor thotë se është frymëzuar nga modelet e çadrave, peshqirëve dhe shezloneve të plazhit.
Condor ishte në pronësi të kompanisë së udhëtimeve turistike angleze Thomas Cook, e cila falimentoi në vitin 2019. Tani, kompania po kërkon të rikthehet në skenë, me një ndryshim drastik për të tërhequr vëmendjen.
Shiritat me ngjyra, të krijuar nga kompania berlineze “Vision Alphabet”, synojnë të rikrijojnë nostalgjinë për pushimet e kaluara dhe të ndezin emocionet për pushimet e të ardhmes. Avionët do të vijnë në pesë ngjyra, blu si deti, të verdhë si rrezet e diellit, të kuq si “pasioni”, të gjelbër si “ishujt” dhe ngjyrë floriri, si rëra e plazheve tropikale.
Avioni i parë me shirita, me ngjyrë të verdhë, realizoi fluturimin debutues më 5 prill, nga Frankfurti për në Lanzarote, në ishujt Kanarie. (A2 Televizion)