Avokati rrëmbehet në një prej qyteteve më të sigurta të Meksikës, akuzohet i shumëkërkuari nga FBI

Nga A2 CNN
4 Shkurt 2021, 14:04 | Bota

Rrëmbimi i një personi, në një prej qyteteve që konsiderohet si më të sigurtit në Meksikë, është fiksuar në kamera dhe publikuar nga autoritetet meksikane të sigurisë.

Në pamje duket 31-vjeçari, Rolando Garcia, i cili kërkon ndihmë duke bërtitur teksa goditet nga një grup burrash, në qytetin San Pedro Garza, në verilindje të shtetit Nuevo Leon, të hënën pasdite. Garcia goditet nga një burrë me maskë para se të rrëzohet në tokë dhe të futet në makinë.

Sipas policisë meksikane, rrëmbimi i personit mendohet të jetë urdhëruar dhe organizuar nga një prej personave që është në listën e 10 më të kërkuarve nga FBI, Jose Villareal, për kapjen e të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit ofron një shpërblim prej 1 milionë dollarësh për këdo që ka informacion. Villareal akuzohet nga amerikanët për vrasjen e një avokati, në vitin 2013 në Teksas, SHBA.

Banorët e qytetit ku jetojnë disa prej familjeve më të pasura në Meksikë dhe diplomatë amerikanë të vendosur aty, janë tronditur pas publikimit të pamjeve të incidentit. Sipas zyrës së prokurorisë lokale, në shtetin e Nuevo Leon janë kryer vetëm 1% e të gjithave veprave penale të kryera në të gjithë Meksikën në vitin 2020.

Villareal, gjithashtu akuzohet se ka qenë organizatori dhe supervizori i trafikimit të drogës nga Meksika në SHBA për kartelin Beltran-Leyva. Kjo organizatë në një moment është vlerësuar si më e fuqishmja në Meksikë, për shkak të aleancës me Kartelin e Sinaloas të Joaquín 'El Chapo' Guzmán. Por, në vitin 2018 palët u ndanë pasi patën mosmarrëveshje, për shkak se El Chapo akuzohej për grabitjen e Alfredo Beltrán Leyva, themeluesi i organizatës, në janar 2008. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos