“Ballë për ballë me xhelatin që sot është president i Iranit”

Nga A2 CNN
5 Gusht 2021, 17:50 | Aktualitet
“Ballë për ballë me xhelatin që sot është

Më 3 gusht 2021, Ebrahim Raisi nisi zyrtarisht mandatin e tij 4-vjeçar si president i Iranit. Miratimi i fitores në zgjedhjet presidenciale u bë në shtëpinë e Liderit Suprem, Ajtaollahut Ali Khamenei.

Por edhe pse Raisi ishte kandidati i preferuar i Ajatollahut, e kaluara e tij e errët premton për një të ardhme jo fort të shndritshme për marrëdhëniet e Iranit me pjesën tjetër të botës, veçanërisht Perëndimin.

Mahmoud Royaei, një ish-i burgosur politik, kujton në një artikull të botuar në CNN periudhën kur, si i burgosur politik, u gjend në të njëjtën dhomë me Raisi-n, i cili në atë kohë ishte zv.prokuror i Teheranit.

“Ishte saktësisht 33 vite më parë, gusht i vitit 1988. Në atë kohë ai ishte një anëtar kyç i atij që njihej si “Komisioni i Vdekjes” në burgun Gohardasht në Karaj, në verilindje të Iranit”, tregon Royaei. “Unë isha i burgosur politik dhe po vuaja një dënim me 10 vite burg. Si mijëra miq të mi, edhe unë isha simpatizant i Organizatës së Muxhahedinëve të Popullir / MEK, një grup opozitar. Isha në atë dhomë për të dëgjuar se si do ta caktonte fatin tim Raisi”.

Royaei tregon se ajo që i kishte bërë më shumë përshtypje nga Raisi ishte arroganca dhe intoleranca. “Besoj se kjo vinte për shkak të mungesës së arsimimit, pasi flitet që ka përfunduar vetëm 6 klasë shkollë. I dehur nga fakti që kishte pushtet mbi jetën dhe vdekjen e të tjerëve, ai vendosi fatin e mijëra të burgosurve në atë që u quajt “masakra e verës” e të burgosurve politikë”, kujton Royaei.

“Zakonisht vendimi për një të burgosur merrej brenda 2 minutash, dhe thuajse gjithmonë vendimi ishte “të varet deri sa të vdesë”. Ditën që dola ballë për ballë me Raisi-n ishte dita kur humba disa nga miqtë e mi më të mirë. Unë nuk u ekzekutova, por qëndrova 10 vite në burg, vetëm për faktin se nuk e mbrojta me aq forcë sa miqtë e mi MEK-un”.

Për Mahmoud Royaei, 3 gushti është një ditë e errët për të gjithë historinë e njerëzimit, jo vetëm të Iranit. “Diktatori dhe xhelati i tij janë përsëri bashkë. Lideri Suprem e ka zgjedhur Raisi-n pikërisht për shkak të vizionit të ti të zi për vendin. Por unë ende kam shpresë... pasi shumë të rinj iranianë, me prirje shekullariste, po ngrihen dhe po kërkojnë një Iran më të lirë e demokratik”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos