
Jemi në të njëjtin nivel me vendet e Rajonit. Ky ishte konstatimi i kryeministrit Rama mbi gjendjen e Emergjencave Civile të vendit tonë, afro një vit pas tërmetit të 26 nëntorit. Vendet mike që ndihmuan shqiptarët të dalin nga rrënojat nuk hasën vështirësi teknike dhe në kapacitetet njerëzore, pasi struktura e tyre dukshëm ishte më e mirorganizuar, sesa punonjësit e shërbimit të mbrojtjes civile të Shqipërisë.
Asokohe, kryeministri Rama njoftoi se ka nisur një ristrukturim të këtij sektori në bashkëpunim me vendet aleate për trajnime dhe mbështetje në materiale.
Përtej financimeve dhe buxhetit të vënë në dispozicion për çdo vit, duket se borxhet e prapambetura nga fatkeqësitë, janë shumë herë më të larta se fondet për emergjencat. Detyrimet e prapambetura të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në shtator të viti 2020 u rritën në 1.1 miliardë lekë. Por sipas kreut të Emergjencave Civile, ky borxh i çdovitshëm, nuk përbën pengesë për përgjigjen në kohë të çdo situate nga fatkeqësitë natyrore. E megjithatë, situata e zjarreve ka shqetësuar Kontrollin e Lartë të Shtetit, i cili ka njoftuar nisjen e një tjetër auditi për Autoritetet që kanë përgjegjësi të përballen me emergjencat civile.
Auditi i fundit i KLSH-së ishte në qershor të vitit 2020, dhe në të u evidentua mungesa e identifikimit të rreziqeve, stafit, mjeteve dhe trajnimeve në emergjencat civile. Raportet e organizatave të specializuara ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë në vendin me riskun më të lartë nga katastrofat natyrore në të gjithë Europën. (A2 Televizion)