Ballkani luan ndeshjen e fundit në grupe ndaj CFR Cluj

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2022, 10:36 | Futboll
Ballkani luan ndeshjen e fundit në grupe ndaj CFR Cluj

Ballkani luan ndeshjen e fundit në grupet e Conference League kundër CFR Cluj. Skuadra nga Suhareka do të zbresë në fushë për ta mbyllur në mënyrë sa më dinjitoze aventurën e parë ndërkombëtare, aty ku rezultatet dhe loja mbresëlënëse nuk kanë munguar.

Edhe pse ekipi i drejtuar nga Ilir Daja nuk ka objektiva të mbetur, kundërshtarët rumunë i kanë vlerësuar maksimalisht. Kjo edhe për faktin se në ndeshjen e parë në grupe, ata barazuan 1-1 në Prishtinë me Ballkanin.

Për më tepër, CFR Cluj luan fatet e edicionit në këto 90 minuta. Skuadra e drejtuar nga një prej emrave të mëdhenj të futbollit rumun, Dan Petrescu duhet me patjetër të fitojë, në mënyrë që ta ketë fatin e saj në dorë. Me një hap fals përballë Ballkanit dhe nëse Slavia Prague fiton ndaj Sivasspor, Cluj do të eliminohej nga Conference League.

Pas 5 ndeshjeve të luajtura, Ballkani ka grumbulluar 4 pikë. Grupi G kryesohet nga Sivasspor me 10 pikë, që ndiqet nga CFR Cluj dhe Slavia në kuotën e 7 pikëve, por rumunët kanë avantazhin e përballjeve direkte, pasi i kanë fituar të dy ndeshjet ndaj çekëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos