Banka Qendrore Evropiane, paketë prej 750 miliardë eurosh kundër koronavirusit

Nga A2 CNN
19 Mars 2020, 14:52 | Bota
Banka Qendrore Evropiane, paketë prej 750 miliardë eurosh kundër

Banka Qendrore Evropiane njoftoi një paketë të gjerë masash prej 750 miliardë eurosh për të lehtësuar impaktin e pandemisë së koronavirusit. Ajo do të përdoret për blerjen e borxhit të qeverive dhe kompanive rreth eurozonës, përfshirë ato të Greqisë dhe Italisë.

Shefja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, njoftoi në një postim në Twitter se institucioni i drejtuar prej saj do të bënte gjithçka të mundur për të mbështetur euro në këtë periudhë të vështirë. “Kohërat e jashtëzakonshme kërkojnë veprime të jashtëzakonshme. Nuk ka limite në përkushtimin tonë ndaj Euros”, tha Lagarde.

Gjatë javëve të fundit, Banka Qendrore dhe qeveria rreth globit kanë njoftuar plane të mëdha stimulimi. I ashtuquajturi programi i blerjes së emergjencës pandemike, vjen vetëm 6 ditë pasi Banka Qendrore Evropiane prezantoi një sërë masash që nuk arritën dot të qetësonin tregjet, duke shtuar trysninë për më shumë mbështetje ndaj ekonomive evropiane. Skema do të jetë e përkohshme dhe do të mbyllet pasi banka qendrore evropiane të vlerësoje se kriza nga Covid-19 ka marrë fund, e megjithatë jo përpara fundit të vitit.

Gjatë ditëve të fundit, institucioni ishte kritikuar për faktin se nuk kishte bërë mjaftueshëm për të mbështetur Evropën, krahasuar me aksionin drastik të ndërmarrë nga rezervat federale. Kjo e fundit uli në gati zero normat e interesit dhe prezantoi një program stimulimi prej 700 miliardë dollarësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos