Banorët e “5 Majit” dhe Laprakës u zhvendosën nga parlamenti para selisë së ambasadës amerikane për të protestuar ndaj vendimit të Qeverisë për të shembur shtëpitë e tyre, si pjesë e projekteve për ndërtimin e Unazës së Madhe. Më pas ata u drejtuan para ambasadës së Bashkimit Europian, ku disa prej tyre kërkuan mbështetje.
Ata kundërshtojnë vendimin, por veçanërisht edhe procedurat e ndjekura për shpronësimin e banesave të tyre. Shembja e disa banesave, disa ditë më parë, shkaktoi reagim për shkak të ndërhyrjes së policisë në largimin e banorëve nga banesat, sidomos të një gruaje të moshuar, e cila më pas doli edhe në një dëgjesë në Kuvend për të shprehur kundërshtitë dhe indinjatën me veprimet e autoriteteve.
Para parlamentit, protestuesve iu bashkua edhe deputeti demokrat, Flamur Noka. “Kanë ardhur dhe i kanë kërkuar votën më parë, të ishte këtu Elisa Spiropali dhe të shpjegonte pse u devijua projekti. U spostua për një aferë korruptive, ndoshta një projekt Brava-Rama në Paskuqan, ndërkohë që para 25 prillit i thoshin që ata ishin zot aty. Kjo është fytyra e qeverisë, por do të ndërmarrim një nisëm ligjore ndaj këtyre që flenë nëpër vila ndërkohë që banorët këtu e kalojnë natën në plastmase, duke parë buldozerin që kalon sipër shtëpisë ku janë rritur”, deklaroi deputeti Flamur Noka. (A2 Televizion)