Barcelona ndez me mijëra drita për festat e fundvitit

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2022, 12:49 | Lifestyle

Atmosfera e Krishtlindjeve ka pushtuar tashmë qytete të tëra në mbarë botën. Disa kanë zgjedhur të dekorojnë rrugët dhe bulevardet me bredha e zbukurime të ndryshme, e disa kanë vendosur të ofrojnë një spektakël dritash e ngjyrash. Barcelona, këtë vit, do të dhurojë një shfaqje të larmishme ku ndërthuren elementet e teatrit, cirkut dhe muzikës. Dritat e qytetit do të zbukurojnë të gjithë vendin dhe janë zgjedhur në mënyrë të atillë që të nxjerrin në pah shpirtin krijues të Barcelonës. Disa nga pikat turistike që qyteti spanjoll ia ka dedikuar festave të fundvitit janë:

Misteret e kozmosit

Një detaj i ri për këtë vit është ylli me 12 cepa që do të shkëlqejë nga maja e kullës së Virgjëreshës Mari në Sagrada Familia. Deri më 15 janar, Recinte Modernista de Sant Pau, ish-spitali modernist, do të jetë sërish i veshur me kordonë të gjatë dritash. Tema e këtij viti është “Univers de la Llum”, një udhëtim kushtuar universit që do t'i çojë turistët të zbulojnë misteret e kozmosit, yjeve dhe planetëve përmes 20 instalacioneve.  

Tregjet e Krishtlindjeve

Tregjet dhe panairet e Krishtlindjeve në Barcelonë janë vërtet magjepsëse. Mijëra tezga presin turistët dhe më të famshme janë ato që shesin figurina të skenës së lindjes së Krishtit, zemra e Krishtlindjeve për çdo familje në Katalonjë. Nuk mungojnë as personazhet nga tradita katalanase: të tilla si Tió. Fira de Santa Llúcia, i cili daton që në vitin 1786 është cilësuar si një nga tregjet më të bukura dhe më të veçanta të Krishtlindjeve në Evropë. Fira de la Sagrada Familia, është një tjetër markatë e famshme e cila qëndron përballë bazilikës së madhe. 

Muzika

Gjatë sezonit të festave, Barcelona organizon më shumë se 100 koncerte falas në stile dhe zhanre të ndryshme. Meloditë e Krishtlindjeve vërshojnë nëpër tregje, rrugët e qytetit, apo edhe në mjedise ikonike, si Sagrada Familia. Veç tyre, mbahen dhe koncerte të muzikës klasike në vende të rëndësishme si p.sh. Liceu dhe Palau de la Música.

Pazaret dhe dyqanet

Gjatë Krishtlindjeve, dyqanet në çdo lagje të Barcelonës janë të dekoruara plot me drita dhe vitrinat shkëlqejnë nga lloj-lloj dekorimesh. Qendrat tregtare dhe pazaret i bëjnë blerjet e Krishtlindjeve një përvojë vërtet të paharrueshme, dhe turistët kanë mundësi të blejnë dhurata shumë të veçanta.

Noti në dimër

Për aktivitete jo të zakonshme, është Kupa e Krishtlindjeve e organizuar nga Klubi i Notit i Barcelonës. E shndërruar ​​tashmë në një traditë që zhvillohet çdo 25 Dhjetor, kjo garë noti fillon nga porti i vjetër dhe vazhdon deri në 200 metra në ujërat e Mesdheut. Kjo eksperiencë përsëritet edhe më 1 Janar. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/26/atmosfere-magjike-destinacionet-perfekte-per-te-festuar-krishtlindjet/

A2 CNN Livestream

Latest Videos