
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratës së ministres së drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila tha se akuzat e ngritura nga Presidenti Ilir Meta kundër saj, janë një kauzë fiktive në funksion të betejës së tij politike.
“Në vend që të mashtrojë qytetarët, Etilda Gjonaj bën mirë të gjejë një avokat. Sikur Edi Rama vetë të drejtojë personalisht mbledhjet e SPAK-ut, ajo është e pambrojtshme. Ministrja e Drejtësisë ka shkelur kushtetutën, ka shpërdoruar detyrën dhe ka marrë pjesë në një akt mafioz për asgjësimin e Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Bardhi.
“Provat e paraqitura nga presidenti për grabitjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese nga ana e qeverisë, edhe përmes veprimeve të paligjshme të ministres së drejtësisë, janë të qarta dhe të pakundërshtueshme. Etilda Gjonaj duhet të japë llogari para drejtësisë! Është një test i rëndësishëm për SPAK-un, i cili do të tregojë, nëse reforma në drejtësi ka dështuar me gjithçka apo jo”, shtoi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së. (A2 Televizion)