
Interesi më i mirë i shqiptarëve është një kandidat i opozitës në zgjedhjet lokale të 14 majit. Këtij qëndrimi i mëshon deputeti demokrat Gazment Bardhi, i cili thekson se për këtë do të përpiqet deri në orën e fundit. Në Intervistën me Merita Haklajn ai u shpreh se do të respektojë vendimin e kryesisë.
“Nuk jam për zgjedhje individuale, por për të respektuar mënyrën si funksionon një ekip. Ai vendim që merret nga strukturat e partisë duhet të çohet përpara. Kam një qëndrim timin, që interesi më i mirë i Shqipërisë e demokratëve është një kandidat i opozitës në zgjedhje. Kam punuar që kjo të arrihet me konsensus mes palëve politike. Do të bëj përpjekjet e mia politike. Nëse kolegët i bien murit me kokë, unë nuk i bie murit me kokë, por jam në politikë për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të bërë më të mirën për to”.
Sipas tij nëse PD hyn e përçarë në zgjedhje nuk dëmtohet PD, por Shqipëria dhe akuzon grupimin e Berishës që bashkëpunon me Metën, Ndokën e Dulen dhe nuk llogarit pjesën e demokratëve që mendojnë ndryshe.
“Për të fituar nuk duhet vetëm Berisha e Alibeaj po çdo faktor opozitar i bashkuar. Objektivi është si të fitojë opozita zgjedhjet lokale, por Berisha thotë që PD ose merr pjesë me Berishën kryetar ose shuhet, PD nuk është pronë e askujt por aset kombëtar dhe e çdo anëtari të PD. E sigurt është që PD do të bëjë më të mirën për Shqipërinë e demokratët. Objektivi ka qenë e mbetet që lufta e brendshme në PD të mos jetë dhuratë për Ramën. Ata që e nxisin të mbajnë përgjegjësi para çdo demokrati dhe pse bashkëpunojnë me partinë e Ilir Metës e Nard Ndokës, apo Vangjel Dules dhe nuk llogarisin atë pjesë të demokratëve që mendon ndryshe. Këto momente tregojnë kush është në interesin e demokratëve dhe kush jo”.
Bardhi u shpreh se ndihet i prekur ndaj akuzave të Sali Berishës, ndaj Alibeajt dhe sqaron pse nuk iu janë kundërpërgjigjur.
“Kemi akuza ndaj atyre që na mbështesin. Na thonë pse kemi qëndruar kaq urtë kur anantohemi me pa të drejtë. Akuzat janë tërësisht politike dhe të padrejta, baltosje me pa të drejtë ndaj Alibeajt ndjehem i prekur sa kohë Alibeaj përfaqëson atë pjesë të PD ku unë bëj pjesë. Jam kundër çdo sulmi ndaj njëri tjetrit. E kemi patur zgjedhje nga shtatori i viti të shkuar që nuk përfshihemi në debate brenda partisë për të krijuar frymën e paqtimit për fitoren në zgjedhje. Kemi pranuar sulmin e atyre që na mbështesin. Këtë e kemi bërë në interes të PD-së, demokratëve dhe Shqipërisë”. (A2 Televizion)