
Aksionit të Sali Berishës për të rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu kundërpërgjigj me një gjuhë pa frena.
Në një konferencë për shtyp pas largimit të mbështetësve të Berishës, Basha e akuzoi ish-kryetarin si komunist që kërkoi të përsëriste dhunën e vitit 1997, me një skenar të ngjashëm si ai i 21 janarit 2011.
“Përballë njerëzve me precedentë kriminalë që solli me vete Sali Berisha, në përpjekjen e tij qesharake për të na rikthyer skenat e 97-s këtu, në shtëpinë e lirisë, në Partinë Demokratike, dhe me zellin e pangordhur të një ish-komunisti, me gjuhën e mashtrimeve dhe me shpresën e vdekur tashmë se mund të marrë peng demokratët dhe PD-në, apo t’i kthejë ata në një batalion “non grata” të vetes dhe familjes së tij “non grata”, tha Basha.
Kreu demokrat shtoi më tej: “Është një burracak, i cili si ish-komunist i vjetër, është gati të thërrmojë edhe PD-në vetëm e vetëm për interesin e tij personal. Ka mobilizuar kontigjentë të krimit. Skenari i sotëm ishte një skenar provokimi. Në miniaturë, Sali Berisha kopjoi skenarin e Tom Doshit në 21 janar. Por, unë nuk iu përgjigja siç u përgjigj Berisha në 21 janar”. (A2 Televizion)