
Ish-kryeministri Sali Berisha iu përgjigj edhe njëherë Lulzim Bashën, në atë që po shndërrohet në një përballje pa dorashka mes dy liderëve demokrat.
Kësaj radhe Berisha zgjodhi profilin e tij në Facebook, duke iu përgjigjur akuzave të sotme të Bashës, që ndër të tjerat e quajti ish-komunist dhe tub oksigjeni për Ramën.
“Burri ka vërtet 1 jetë me u korit, por!”, ishte fjalia e tij e vetme, duke shigjetuar një batutë të Bashës kundër tij.
Me një lëvizje të papritur aq sa të pazakontë, Sali Berisha dhe mbështetësit e tij mbërritën në selinë e PD rreth orës së drekës, ku zhvilluan mbledhjen e parë të komisionit të rithemelimit të partisë, të formuar nga kuvendi kombëtar i 11 dhjetorit. Ata shfrytëzuan një nga sallat në godinë, pak metra nga Lulzim Basha që po zhvillonte një mbledhje me grupin e punës.
Ndër të tjerat, Berisha deklaroi se Basha kishte probleme të mëdha me drejtësinë, probleme të jashtëzakonshme, por jo vetëm me drejtësinë shqiptare, por edhe belge.
Pak orë më vonë po në atë seli, Basha mbajti një konferencë për shtyp ku deklaroi se “Berisha po përpiqet të shkatërrojë Partinë Demokratike pasi nuk mund ta përdorë më atë. Kjo është pamja e një humbësi që mundohet të shfaqet si fitues”.
Sipas tij, “ngjarjet e sotme në PD ishin “shenjë e qartë e ndarjes së plotë e të pakthyeshme me Berishën dhe me anën e tij të errët të historisë”.
Ndërkohë, reagoi edhe “Komisioni i Rithemelimit” në mbështetje të Berishës. “Deputeti Basha ripërtypi sot publikisht shpifjet e mediave të Edi Rames për organizimin dhe kostot e Kuvendit te Partisë Demokratike. Kostot modeste të këtij organizimi do të bëhen transparente për mediat ditët në vijim. Po ashtu kukulla e Ramës shpifi publikisht se për këtë event është kontraktuar bashkëshorti i një deputeteje të Partisë Socialiste.
Hedhim poshtë me neveri këtë shpifje dhe sqarojmë opinionin se kjo është totalisht e pavërtetë! E mirëkuptojmë zemërimin e z.Basha përse nuk e organizuam Kuvendin me kompaninë e të afërmve të tij por rrjepja që ata i kanë bërë financave të PD këto 8 vjet e ka bërë këtë kompani të papërballueshme për mundësitë tona!”. (A2 Televizion)