
Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka bërë kallëzim në Polici në lidhje me atë që deklaroi më herët në një lidhje direkte nga selia blu se në zyrën e tij të FRPD i janë marrë sende personale. Ai bëri përgjegjës për këtë Lulzim Bashën dhe Gazment Bardhin. Në një deklaratë për mediat pas denoncimit në Polici, Këlliçi u shpreh se të rinjtë e FRPD janë kërcënuar nga persona të armatosur brenda ambienteve të PD.
“Unë bëra kallëzim se nuk mund të depozitoj prova, e keni parë ju bastisjen e zyrës sime. Zyra ka qenë hapur. Denoncova vjedhjen e lap topit tim dhe të dhënat personale. Unë bëra detyrën. Bëj përgjegjës drejtpërdrejt Lulzim Bashën dhe Gazment Bardhin. Të rinjtë e FRPD kanë marrë kërcënime nga persona të armatosur në ambientet e brendshme të PD. Kam kërkuar të merren në administrim kamerat dhe nuk do të jetë çudi që të fshihen kamerat. Persona që nuk kanë lidhje me PD dhe nuk janë pjesë e grupit zyrtar të shoqërimti të Bashës. Janë persona të tjerë të panjohur. Nuk jam aspak i kërcënuar kam ardhur këtu për të bërë detyrën time si qytetar. Nuk pres rezultat nga policia. Nuk më shqetëson presioni, shantazhi se jemi për një kauzë të drejtë. Jemi për një PD të drejtë që të mos i ngjajë kësaj PD të shëmtuar që kemi parë këto ditë”.
Praninë e personave të armatosur në ambientet e brendshme të PD e përforcoi edhe një përkrahës i Këlliçit, sipas të cilit është kërcënuar kreu i FRPD së Kuçovës nga një numër holandez.
“Është kërcënuar kreu i FRPD së Kuçovës nga një numër holandez. Nëse një anëtar të FRPD i preket një fije floku do të jetë përgjegjësi personale e Lulzim Bashës. Këtë thirrje ta marrë si paralajmërim për përgjegjësi personale ndaj tij”.
Këlliçi paralajmëroi Bashën që nëse i preket një fije floku anëtarëve të FRPD do të bëjë transparente gjithçka lidhet me administrimin e PD, ndërsa përmendi edhe oligarkët.
“Nëse një riu të FRPD i preket një fije floku do të bëjmë transparente gjithçka me administrimin e PD në këto vite, oligarkët, nga shpk përreth dhe nga persona të përfshirë. I bëj thirrje të tërhiqet menjëherë nga ky degradim politik. I shërben atij të ruajë dinjitetin e tij”. (A2 Televizion)