
Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, e quajti “komunist” ish-kryeministrin Sali Berisha, në një konferencë për shtyp në selinë e PD-së.
“Berisha po përpiqet të shkatërrojë Partinë Demokratike pasi nuk mund ta përdorë më atë. Kjo është pamja e një humbësi që mundohet të shfaqet si fitues. Kjo që bëri sot është rruga pa kthim që zgjodhi. Berisha, si një ish-komunist, është gati të thërrmojë edhe Partinë Demokratike vetëm për interesin e tij personal. Ne do ta lëmë pas si pakicë e dëshpëruar Sali Berishën, duke mos pasur mundësi marrjen peng të PD-së dhe demokratëve”, tha Basha.
Sipas tij, “nervoziteti i Berishës do të vijë duke u shtuar”.
“Bëri thirrje që Këshilli mos të mblidhet, por ky u mblodh. Koha na mbaron të gjithëve, në veçanti një njeriu më në moshë. Berisha po bëhet tub oksigjeni për regjimin. Aksioni ynë do të vazhdojë i plotë në të gjithë frontin. Edi Ramës i them: do na kesh përballë deri në ditën e fundit që të rrëzohet nga karrigia, me gjithë aksionin tonë parlamentar, me vënien para ligjit të secilit që vuri dorë në masakrën e 25 prillit”, shtoi Basha. (A2 Televizion)