Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar në Twitter për protestën e paralajmëruar nga Sali Berisha më 8 janar.
“Hera e parë në historinë e Shqipërisë që një politikan i lartë shpallet i padëshiruar nga SHBA, dhe po hera e parë në Shqipëri që ai thërret një protestë kundër partisë së tij – Partisë Demokratike, me motivin pse ajo nuk kthehet në bunker ku ai mund të ‘strehohet’ për t’u mbrojtur”, thotë Basha.
Atmosfera festive e ndërrimit të viteve nuk ka ulur tensionet brenda selisë blu. Pak para skadimit të ultimatumit për të liruar godinë e PD-së, Sali Berisha thirri një protestë në datën 8 janar kundër Lulzim Bashës. Vetë kryedemokrati nga ana e tij po përgatitet duke ndryshuar dyer e dritare.
Komisioni i rithemelimit tw PD reagoi ndaj kwtij veprimi duke thwnw se “me dyer dhe brava nuk do të mposhtë shumicën dhe pluralizmin në Shqipëri, se ata që shembën regjimin më gjakatar në ’90, nuk do të lejojnë kurrë asnjë derë brave, hekur apo shul të mbajë peng vullnetin e tyre të shprehur përmes votës së lire”.

Ndërsa zyra e shtypit e partisë dha edhe shpjegimet se përse u vendos lyerja e godinës ditët e para të janarit. “Punimet dhe mirëmbajtja në seli këtë fillimviti bëhen në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë. Selia qendrore e Partisë Demokratike ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e hapur për demokratët e sakrificave dhe kontributeve, por e mbyllur për ata që e kanë mbajtur peng Partinë Demokratike gjatë gjithë këtyre viteve me shpresën se mund ta përdorin për t’u fshehur, mbrojtur apo rregulluar punët e tyre të pista”.
Përplasja ndërmjet demokratëve nuk gjeti pushim as këtë fillim viti. Mbështetësit e Sali Berishës kanë caktuar datën 5 janar si afat të fundëm për Lulzim Bashën që të dorëzoj godinën. Këto ultimatume duket se janë dëgjuar nga Basha, jo për të liruar zyrën por për t’u përgatitur për protestë. (A2 Televizion)