
Me anë të një posteri të shpërndarë në rrjetet sociale, Komisioni i Rithemelimit të PD-së, ka thirrur një protestë përpara selisë së Partisë Demokratike, më 8 janar.
“Jo bunker i pengut, por shtëpi e demokratëve”, shkruhet në posterin e publikuar.
Ndërkohë, afati i vendosur nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së ndaj Lulzim Bashës, për të liruar zyrën e kryetarit deri më 5 janar po shkon drejt fundit, por deri tani kryedemokrati nuk e ka ndryshuar qasjen e tij, duke mos njohur vendimet e komisionit të dalë nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit, që mes të tjerash vendosi edhe shkarkimin e tij.
Për të përforcuar qëndrimin e tij, Basha vendosi të zbriste në terren, ku zhvilloi një takim me demokratët në Dibër - të parin që pas rikonfirmimit në krye të partisë, në korrik të vitit 2021. Por me gjithë insistimin e tij, Komisioni i Rithemelimit nuk heq dorë nga përpjekja për ta larguar atë nga drejtimit i partisë.
Kjo është protesta e dytë e thirrur nga Sali Berisha në harkun e pak ditëve pas asaj kundër nismës rajonale “Open Balkan”. (A2 Televizion)