Basha: Do kërkojmë ngritjen e komisionit hetimor në Kuvend për fondet e IPARD

Nga A2 CNN
9 Gusht 2023, 15:13 | Politikë
Basha: Do kërkojmë ngritjen e komisionit hetimor në Kuvend

Fondet e IPARD për bujqësinë do të jenë beteja e radhës për opozitën në vjeshtë. Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, në një reagim në mediat sociale njoftoi se në nisje të sesionit të ri parlamentar do të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për fondet e IPARD.

“Nuk është hera e parë që propagandës dhe retorikës shtinjake i del boja. Kur arritjet imagjinare ndeshen me faktet, duket qartë se e vetmja gjë që ka ndërtuar Edi Rama është një shtet i të korruptuarve.

Kështu ka ndodhur me mega-aferën e Inceneratorëve, kështu po ndodh me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë.

Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve të programit IPARD tregon makutërinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE-së, duke lënë në mëshirë të fatit fermerët e ndershëm të këtij vendi, për të favorizuar klientët e zakonshëm që me këto fonde ndërtojnë vila në komplekset luksoze të bregdetit.

Për këtë skandal që nxiu faqen e Shqipërisë përpara partnerëve europianë dhe që pengon rrugëtimin tonë drejt BE-së, Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të zbardhur shpërdorimin e fondeve për bujqësinë dhe për të garantuar transparencën që qytetarët meritojnë.

Lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe fundi i pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të politikës janë prioritete të Partisë Demokratike, arritja e të cilave garanton ndryshimin që shqiptarët presin”, shkruan Basha.

Sipas tij, komisioni do të kërkohet për të zbardhur se ku kanë shkuar fondet për bujqësinë dhe për të garantuar transparencën për qytetarët.

https://a2news.com/2023/07/19/ke-pezullon-fondet-e-ipard-2-ministria-e-bujqesise-programi-seshte-nderprere-procedura-hetimore-eshte-normale/

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos