
Lulzim Basha ndodhet në samitin e Partisë Popullore Europiane, por ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike ritheksoi mesazhet mbi gjendjen aktuale të vendit duke evokuar kryengritjen antikomuniste të Postribës në 73-vjetorin e saj.
“Më 9 shtator të 1946-s, burra, intelektualë, malësorë e klerikë të të gjitha besimeve, frymëzuan e u ngritën në të parën kryengritje antikomuniste në Europë, që tronditi nga themelet regjimin komunist, i cili u përgjigj me dhunë masive, vrasje e pushkatime pa gjyq”, shkruan në rrjetet sociale Lulzim Basha.
Sipas kreut të Selisë Blu, qeveria e sotme po synon të nxjerrë nga diskursi publik qëndresën ndaj diktaturës.
‘’Pasardhësit e xhelatëve po tentojnë ta kthejnë sërish në kulturë zyrtare përkujtimin e masakrave shtetërore dhe po synojnë të nxjerrin nga diskursi publik përkujtimin e qëndresës ndaj diktaturës dhe të heronjve që ranë në përpjekje për liri e dinjitet’’, shkruan kryetari demokrat. (A2 Televizion)