Derë më derë, me tabletë në duar... si rregull çdo 10 vite... Por Censi-i i ardhshëm i popullsisë dhe Banesave në Shqipëri që planifikohet të zhvillohet në vitin 2033 mund të jetë tërësisht ndryshe nga të shkuarit. Të dhëna që mblidhen online dhe jo më të fragmentuara, por në një sistem të integruar statistikor, ashtu siç e do anëtarësimi në BE.
“Përtej statistikave, sot me Eurostat, INSTAT, Komisionin Europian dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare ndamë vizionin për një Shqipëri që njeh me saktësi ritmin e ndryshimeve të saj dhe ndërton mbi të dhëna të besueshme politika publike që u përgjigjen më mirë nevojave dhe zhvillimeve të shoqërisë”, deklaroi Albana Koçiu, zv/kryeministre.
Një dorë në këtë drejtim do të japë Instituti Europian i Statistikave, Eurostat. Drejtoresha e institucionit më të lartë të mbledhjes dhe përpunimit të statistikave në Bashkimin Evropian zhvilloi vizitën e parë në Shqipëri.
“Statistikat e besueshme janë një element thelbësor për çdo demokraci dhe për funksionimin e një ekonomie moderne. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, por transformimi digjital dhe përdorimi më i gjerë i burimeve administrative mund të krijojnë mundësi të reja për prodhimin e të dhënave. Eurostat është i gatshëm të mbështesë INSTAT-in në këtë proces, përmes ekspertizës dhe shkëmbimit të praktikave më të mira europiane”, u shpreh Mariana Kotzeva, drejtoresha e Eurostat.
Vizita e Kotzevës në Shqipëri vjen në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin në BE dhe synon forcimin e sistemit kombëtar të statistikave, si dhe të bashkëpunimit mes INSTAT-it dhe Eurostat-it.
“Për ne, sfida kryesore është të ndërtojmë një sistem që garanton vazhdimësinë dhe cilësinë e informacionit statistikor. Kjo kërkon jo vetëm investime në teknologji, por edhe bashkëpunim më të ngushtë me institucionet që disponojnë të dhëna administrative. Po punojmë për të identifikuar këto burime, për të harmonizuar metodologjitë dhe për të krijuar kushtet që në të ardhmen të kemi procese më efikase të prodhimit të statistikave, duke ruajtur njëkohësisht konfidencialitetin e të dhënave individuale”, tha Lantona Sado, drejtoresha e INSTAT.
Një sistem më modern statistikor nuk do të shërbejë vetëm për të numëruar banorët, por edhe për të kuptuar më mirë nevojat e tyre dhe për të orientuar politikat publike. (A2 Televizion)