“Ja dëmet, çfarë t'ju them? Shikoji, guaskat, mishrat janë mbushur frigoriferët plot me ujë, janë këputur dyert. Rryma ka qenë shumë e madhe, fabrika është dëmtuar komplet, 5009 lekë të vjetra”. Këto janë pamjet nga përmbytjet e nëntorit të vitit të kaluar, të cilat shkatërruan thuajse plotësisht edhe fabrikën e përpunimit të kërmijve në Bashkinë e Maliqit.
Një vit më pas, premtimet për dëmshpërblim apo ndonjë ndihmë, sado të vogël, nga shteti jo vetëm që nuk janë realizuar, por, sikur të mos mjaftonin dëmet, pronarit i kanë shkuar edhe kontrolle nga AKU-ja pak ditë pas përmbytjeve, duke e gjobitur.
“Unë jam përmbytur. Rreth 500 milionë lekë dëme janë bërë. I gjithë malli që kisha brenda u përmbyt dhe përmbytja ka ardhur nga ana e bashkisë, sepse mbi fabrikën time është një kanal. Siç ju kam thënë, u përmbyta për herë të parë. Iu thamë: 'Mbylleni kanalin'. Nuk e mbyllën. U përmbyta për herë të dytë dhe kam bërë kërkesa 100 herë. Erdhën këtu, panë, asnjë lek nuk na kanë dhënë”, tregon Kristo Zguri për A2 CNN.
“Lëre atë, lëre atë! Po pastaj u vërsul edhe AKU-ja. 'Pse nuk e ke në gjendje të mirë stabilimentin?' Ne u përmbytëm. Na procedojnë edhe ata, 7 milionë lekë, sepse nuk është në gjendje, pasi kjo nuk ishte në punë, nuk funksiononte. Nuk e di se si do të shkojë kjo Shqipëri, siç e kanë bërë këta. Nuk e di”.
Të tillë ka shumë në Bashkinë e Maliqit, të cilëve u janë dëmtuar edhe të mbjellat, kryesisht gruri, dhe për të cilat nuk është marrë asnjë dëmshpërblim, pavarësisht grupeve të punës që verifikuan dëmet në terren dhe ministrive që premtuan dëmshpërblim. (A2 Televizion)