Konferenca e investimeve BE-BP, Ballkani kërkon paratë, projekte që të joshin edhe Europën

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2026, 14:46 | Politikë

Edicioni i dytë i konferencës së investimeve mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor ka si sfidë që projektet t’i kalojë në vepra konkrete, duke u gjetur financimet përkatëse. “Ambicia jonë është të shkojmë një hap më tej, nga dialogu dhe vendimet për investimet, drejt lëvrimit të kapitalit”.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se ambicia e Shqipërisë është të kapërcejë rolin tradicional të furnizuesit me lëndë të para, duke kaluar në zhvillimin e aktiviteteve industriale me vlerë të shtuar më të lartë.

“Ne propozojmë që të nisim një vlerësim të përbashkët teknik mes Komisionit Europian, shteteve anëtare të interesuara, kompanive europiane dhe partnerëve tanë, me ambicien e njësimit të projekteve investuese ndërkombëtare. Kjo përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit industrial”, tha ajo, përcjell A2 CNN.

Konferencën e përshëndetën edhe përfaqësues të Brukselit, të cilët bënë të qarta pritshmëritë dhe qëllimet e këtij procesi. “Unë do të jap opinionin tim për këtë fjalim. Ne duam paratë tuaja. Duam që paratë tuaja të punojnë këtu në Shqipëri”, tha Kerstin Jorna, Drejtoreshë e Përgjithshme e DG GROW, KE.

Të vetëdijshëm për ritmin me të cilin Shqipëria po ecën drejt tregut të përbashkët europian, drejtoresha e përgjithshme e Unionit për këtë sektor foli edhe në shqip.

“Kam dëgjuar një shprehje avash-avash në shqip. Pra, avash-avash, ngadalë-ngadalë. Në fakt, ne në Bruksel shpikim shumë gjëra. Disa nga kolegët tanë thonë se e kanë shpikur këtë proces, por asnjëherë nuk kemi gjetur një fjalë kaq të bukur sa kjo që keni ju. Ndaj, në njëfarë mënyre, integrimi gradual është ajo ‘avash-avash’ e kthyer në politika, por jo dhe shumë avash”, tha ajo.

Rreth 40 miliardë euro të investuara nga Europa u përmendën si shembull i besimit te Ballkani Perëndimor. “Kufijtë nuk janë atje ku mbaron Europa, por atje ku rritet Europa. Pra, avash-avash, por së bashku dhe duke filluar nga sot. Faleminderit”, tha Jorna. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos