BE-ja si mundësi, por jo për të gjithë! Bizneset shqiptare përballë testit të konkurrueshmërisë

Nga Marjo Brakaj
25 Nëntor 2026, 15:27 | Ekonomi

Integrimi europian nuk do të sjellë vetëm mundësi të reja për biznesin shqiptar, por edhe një provë të fortë për aftësinë e tij për të konkurruar në tregun e përbashkët. Ndërsa 98% e sipërmarrjeve në vend janë të vogla dhe të mesme, njohja e kufizuar e standardeve dhe kërkesave europiane rrezikon ta vështirësojë përshtatjen e tyre. Përfaqësuesit e biznesit kërkojnë më shumë informim, mbështetje dhe bashkëpunim, në mënyrë që anëtarësimi të mos i gjejë sipërmarrjet të papërgatitura.

“Mundësi e kushtëzuar nga sfidat”. Rruga drejt Bashkimit Evropian nuk është e lehtë... veçanërisht për sipërmarrjet. Këto të fundit duhet të tejkalojnë veten para se Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

“Anëtarësimi në Bashkimin Europian përbën një mundësi të rëndësishme për sipërmarrjen shqiptare, por njëkohësisht kërkon përgatitje serioze. Bizneset duhet të kuptojnë se integrimi nuk është thjesht një proces institucional apo politik, por mbi të gjitha një proces ekonomik, që kërkon ndryshim të mënyrës së të bërit biznes, rritje të konkurrueshmërisë dhe përmirësim të cilësisë së produkteve dhe shërbimeve”, deklaroi Albana Laknori, Sekretare e Përgjithshme DHTIT.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, rreth 98% e bizneseve që operojnë në vend janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, duke mbajtur një peshë të konsiderueshme në ekonominë shqiptare. Për këtë arsye, përshtatja me standardet europiane mbetet një sfidë e rëndësishme, veçanërisht për bizneset me kapacitete të kufizuara financiare dhe njerëzore.

“Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sfida është edhe më e madhe, pasi ato nuk kanë gjithmonë burimet e nevojshme për të përballuar kostot e përshtatjes. Bëhet fjalë për investime në teknologji, certifikime, standarde të prodhimit, siguri ushqimore dhe përmirësim të proceseve të brendshme. Për këtë arsye, nevojitet mbështetje konkrete, që këto biznese të mos e shohin përafrimin me standardet europiane si një barrë shtesë, por si një investim për të ardhmen”, shprehet Albana Laknori, Sekretare e Përgjithshme DHTIT.

Nga sondazhi i zhvilluar në muajt tetor-nëntor dhe dhjetor  të vitit të shkuar tregoi se nga rreth 2,500 kompani të analizuara, vetëm 15 për qind janë të njohura me kërkesat dhe funksionimin e tregut europian, çka tregon se informimi dhe ndërgjegjësimi i bizneseve duhet të jetë hapi i parë për rritjen e pranisë së tyre në tregun e Bashkimit Evropian.

“Një nga pengesat kryesore është mungesa e informacionit të strukturuar mbi mënyrën se si funksionon tregu europian. Bizneset duhet të njohin jo vetëm rregullat dhe detyrimet që burojnë nga legjislacioni europian, por edhe mundësitë që ofrohen, mekanizmat e financimit dhe mënyrat për të krijuar partneritete me kompani të vendeve të Bashkimit Europian. Pa këtë njohuri, është e vështirë të ndërtohet një strategji konkrete për të hyrë dhe për të konkurruar në këto tregje.” BE-ja si mundësi, por jo për të gjithë”, thotë Albana Laknori, Sekretare e Përgjithshme DHTIT.

Para se të trokasë në dyert e Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të jetë gati. Për një “po” në vend të një “jo-je”, vendi duhet fillimisht të integrohet institucionalisht dhe ekonomikisht. Programi Italo-Shqiptar për Zhvillimin e SME-ve mbetet një mundësi e mirë për tu rritur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos