Basha mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Bashkim Finos. Shtyn aktivitetet në Fier

Nga A2 CNN
29 Mars 2021, 10:44 | Politikë
Basha mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Bashkim Finos.

Të shumta kanë qenë reagimet dhe mesazhet ngushëlluese për ndarjen nga jeta të politikanit Bashkim Fino. Më i fundit vjen nga kreu demokrat, Lulzim Basha. Në një postim në rrjetet sociale, Basha shprehet se kontributi i tij në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë si një zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit

“Me trishtim mësova lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit, ish-ministrit dhe ish-deputetit, Bashkim Fino. Jam i bindur se kontributi i Bashkim Finos në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë si një zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Fino dhe gjithë të dashurve të tij. U prehtë në paqe!”

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1376451828334870530

Për shkak të ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit dhe deputetit të parlamentit Bashkim Fino, kryetari i PD Lulzim Basha vendosi të shtyjë aktivitetet politike të parashikuara për ditën e sotme në Fier me pjesëmarrjen e tij.

Mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të politikanit, Bashkim Fino, ka ndarë edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ai shprehet se Fino ishte një nga personalitetet më të spikatura të PS-së dhe se ishte zë i moderuar brenda grupit drejtues ekstremist të Partisë Socialiste.

Postimi i ish-kryeministrit Sali Berisha:

Mesazh ngushëllimi për Bashkim Finon!

Miq, Covid 19 e ndau nga jeta para kohe Bashkim Finon, njërin prej personaliteteve më të spikatura të Partisë Socialiste dhe qeverisjes së vendit.

Gjatë këtyre 30 viteve në politike, Bashkimi ka mbajtur detyra të rëndësishme nga kryetar bashkie i qytetit të tij të lindjes, Gjirokastrës deri në kryeministër i qeverisë së pajtimit kombëtar në vitin 1997, e cila kishte si detyrë më kryesore përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme, detyrë të cilën në vlerësimin tim ai e përmbushi në frymë bashkëpunimi dhe me përgjegjësi.

Pas atyre zgjedhjeve deri sot ai si deputet i PS dhe qeveritar i saj ka kryer detyra të rëndësishme duke qëndruar një zë i moderuar në grupin drejtues ekstremist të PS.

Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes Fino për humbjen e pakompensueshme, unë i lutem Zotit që shpirti i Bashkimit të saj të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin. sb (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos