Basha në Durrës: Do të dyfishojmë pagat për mësuesit dhe mjekët

Nga A2 CNN
5 Prill 2021, 10:04 | Politikë
Basha në Durrës: Do të dyfishojmë pagat për

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi fushatën në zonën e Durrësit, në një takim me përfaqësues të komuniteteve të ardhura në këtë zonë.

Pasi i njoh me problemet që hasin qytetarët, kryedemokrati Basha premtoi se qeveria e re do të jetë në mbështetje të tyre dhe jo të një grushti njerëzish.

“Urbanizimi është po aq i rëndësishëm. Kur vjen puna tek urbanizimi, e kemi fjalën, jo thjeshtë për rrugë, e kemi fjalën edhe për ujin edhe për kanalizimet edhe për ndriçimin. Për fat të keq, shuma e para që janë derdhur për fasada gjatë këtyre 8 viteve do të kishte dalë e tepruar, për të urbanizuar 2 herë jo vetëm këtë zonë, por të gjitha zonat e mëdha informale në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë.” tha Basha. 

Ndërsa sa i përket mësuesve dhe mjekëve, Basha tha se dyfishimi i pagave për mësuesit dhe ndalimi i largimit të mjekëve nga vendi, janë dy prioritete parësore të qeverisë së ardhshme.

“Si në disa fusha të tjera, e kemi të thjeshtë dhe të qartë t’jua themi, se vetë e mbani mend kur ne premtuam dyfishimin e pagave të mësuesve dhe pala tjetër tha nuk bëhet. Nuk bëhet sepse ata nuk e kishin bërë, nuk bëhet sepse ata nuk duan ta bëjnë, siç kishin 8 vjet kohë dhe nuk u kujtuan për mësuesit deri në janar, deri para fushate. Ndërkohë që, ne do të vazhdojmë me rritjen e pagave të mësuesve.

Ndalimi i largimit të mjekëve është një prioritet absolut. Me këto ritme nëse vazhdojnë ne do të kemi më pak mjekë për frymë se ç’kanë vendet më të varfëria të Afrikës. Ndaj masa e parë siç e përmendët dhe ju do të jetë rritja e pagave për mjekët, për mjekët specializant dhe për infermierët. Kjo është një faturë e përballueshme dhe e llogaritur në buxhetin e ardhshëm të qeverisë së ardhshme pas 25 prillit”, përfundoi Basha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos