Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka publikuar në Twitter raportin e EuCham, duke theksuar se ai “e rendit Shqipërinë ndër tre vendet e fundit në Evropë për të bërë biznes”.
“Kjo konfirmon qartë se kjo qeveri ka dështuar: sot kriza është shtrirë në çdo hallkë të ekonomisë. Me Ramën, Shqipëria u bë ndër vendet më të korruptuara, me taksat më të larta në rajon, më pak tërheqëse për investime. Vendit sot i duhet një model i ri ekonomik, me taksa të ulëta, mbështetje për sipërmarrjen, stimulim për investimet dhe bizneset që hapin vende pune”, shkruan Basha në rrjetin social.
“Me planin tonë ne do të kemi taksën e sheshtë 9%, do të luftojmë konkurrencën e pandershme dhe korrupsionin, do t’i japim frymëmarrje ekonomisë për të sjellë investime, mundësi punësimi me të ardhura dinjitoze dhe jetë më të mirë për të gjithë shqiptarët”, shton Basha. (A2 Televizion)
