Gazetari Poli Hoxha deklaroi se fjalimi i djeshëm i ambasadorit amerikan në vendin tonë, Eric Wendt, ishte “një nga ngjarjet më të forta të 36 viteve të fundit”.
“Ajo që tha dje ambasadori amerikan ishte rikonfirmim i fjalimit që ka mbajtur në Senat. “Korrupsioni, krimi i organizuar, trafiqet ndërkombëtare… dhe aleati jonë i madh i Amerikës në Shqipëri është SPAK”. E ka thënë në Senat kur bëri prezantimin për kandidaturën e tij këtu. Ndërkohë që fjalimi i djeshëm ishte për mendimin tim një nga ngjarjet më të forta të 36 viteve. Është i fortë sepse ngjan si një bombë në kulmin e valles së minjve të korrupsionit. Çështja është që, në radhë të parë aty kishte mesazh politik. Mesazhi politik ishte i dyanshëm. Mesazhi i parë ishte që juve duhet të ndiqni paranë, në mënyrën se si lidhet krimi i organizuar, paratë e drogës që furnizohen që nga Amerika Latine në Shqipëri, në investime. Nuk ka shans që trafikanti i drogës të bëhet biznesmen i madh, të bëjë resorte, të bëjë kulla pa politikën. E dyta, pashë qartë fare kritikë ndaj SPAK-ut. Ai tha se nuk ka asnjë mbi ligjin. Dhe të mos harrojmë dhe kontekstin që është aty. Ishte takim me tre trupa: me të gjithë prokurorët e SPAK-ut, të gjithë agjentët e BKH-së dhe e gjithë trupa e GJKKO-së. Pra, gjithë sistemi zinxhir, kemi hetues, prokurorë dhe gjyqtarë. Dhe mesazhi ishte direkt i strategjisë së SHBA-së. E gjithë klasa politike duhet ta dëgjojë atë mesazh", deklaroi Hoxha në studion e "Off the Record" nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Çdo gjë është vullnet politik dhe kjo klasë politike nuk ka vullnet për ta zgjidhur korrupsionin në Shqipëri”, shtoi Hoxha. (A2 Televizion)