Krerët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në samitin vjetor në Bruksel për të diskutuar politikën e dyerve të hapura dhe perspektivën e anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përcollën mesazhin e tyre për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata rikonfirmuan perspektivën e anëtarësimit, por theksuan se vetëm zbatimi i reformave mund t'i afrojë vendet e rajonit drejt Bashkimit Evropian.
“Në fillim të vitit të ardhshëm do të nisim dialogët për integrimin gradual me secilin prej partnerëve, në mënyrë të përshtatur për secilin. Këto janë reforma që sjellin ndryshime konkrete. Ato mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme. Por ekziston edhe një pjesë tjetër thelbësore e këtij rrugëtimi. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet gjithashtu të afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Edhe në këtë drejtim po shohim përparim.”
“Situata sfiduese gjeopolitike nënvizon nevojën për lidhje më të ngushta mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Rikonfirmuam perspektivën e anëtarësimit. Mesazhi im është: Ruani ritmin dhe zbatoni reformat që do t'ju çojnë drejt BE-së. Zgjerimi është një mundësi reale dhe duhet shfrytëzuar.”
Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën së bashku në Bruksel, ndryshe nga Serbia, e cila mungoi për të dytin vit radhazi. (A2 Televizion)