Gazetari Poli Hoxha ka komentuar protestën kombëtare të paralajmëruar për 28 nëntorin, duke u ndalur te reagimi i policisë gjatë tubimeve të mëparshme, pretendimet për dhunë ndaj protestuesve dhe zhvillimet që mund të shoqërojnë protestën e radhës.
I ftuar në studion e emisionit “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, Hoxha ngriti shqetësimin për klimën e tensionit mes qytetarëve dhe policisë, duke theksuar se, sipas tij, mënyra se si janë menaxhuar protestat gjatë muajve të fundit ka krijuar një përplasje mes protestuesve dhe uniformave blu.
Hoxha ngriti gjithashtu shqetësimin për praninë e mundshme të provokatorëve gjatë protestës së 28 nëntorit, duke theksuar se institucionet shtetërore kanë përgjegjësinë të parandalojnë çdo skenar që mund të cenojë mbarëvajtjen e tubimit.
“Është detyra e shtetit që edhe për datën 28 ta ruajë protestën. Protesta është e drejtë kushtetuese, është e qytetarëve të Shqipërisë.
Nëse ka njerëz me axhenda të caktuara nga jashtë apo nga brenda, nga forca politike apo krimi i organizuar, është detyra e institucioneve të qeverisë që t'i parandalojnë dhe identifikojnë”, u shpreh Hoxha. (A2 Televizion)